Brazili jashtë Botërorit, Norvegjia e eliminon me dy gola të Haaland

Norvegjia shkakton surprizën më të madhe të Kupës së Botës 2026 duke eliminuar Brazilin me rezultatin 2-1 në fazën e 1/8 së finales.

Heroi absolut i sfidës në New Jersey është Erling Haaland, i cili realizon dopietë dhe dërgon skandinavët për herë të parë në çerekfinalet e një Botërori.

Ndeshja nis me ritëm të lartë dhe Norvegjia mendon se kalon në avantazh, por goli i Patrick Berg anulohet për pozicion jashtë loje të Alexander Sørloth.

Brazili fiton më pas një penallti pas ndërhyrjes së Kristoffer Ajer ndaj Matheus Cunha, por Bruno Guimarães dështon nga pika e bardhë, pasi portieri Ørjan Nyland pret goditjen e tij.

Brazilianët krijojnë raste të tjera me Gabriel Martinelli dhe Vinícius Júnior, por Nyland zhvillon një ndeshje të jashtëzakonshme duke mbajtur portën të paprekur. Në anën tjetër, Martin Ødegaard dhe norvegjezët vazhdojnë të kërcënojnë portën e Alisson Becker.

Në pjesën e dytë, trajneri Carlo Ancelotti aktivizon Endrick, i cili humbet një mundësi të artë vetëm përballë Nyland. Portieri norvegjez vazhdon të jetë vendimtar edhe ndaj Rayan, ndërsa Norvegjia fiton gjithnjë e më shumë terren.

Në minutën e 79-të vjen momenti i shumëpritur. Andreas Schjelderup harkon nga e majta dhe Erling Haaland godet saktë me kokë në shtyllën e dytë duke kaluar Norvegjinë në avantazh.

Vetëm pak minuta më vonë, sulmuesi i Manchester City vulos fatin e sfidës. Haaland shfrytëzon një tjetër rast dhe me një goditje të saktë me të majtën mposht Alissonin për herë të dytë duke heshtur pesë herë kampionët e botës.

Brazili arrin vetëm të zbusë humbjen në minutat shtesë. Pas një penalltie të fituar nga Casemiro, Neymar shënon nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 2-1.

Me këtë dopietë, Haaland ngjitet në kuotën e shtatë golave në Kupën e Botës 2026 duke barazuar Lionel Messin dhe Kylian Mbappén në krye të garës për “Këpucën e Artë”.

Norvegjia siguron kështu kualifikimin historik në çerekfinale, ku pret fituesin e përballjes mes Meksikës dhe Anglisë, ndërsa Brazili largohet nga Botërori dhe regjistron humbjen e shtatë radhazi ndaj skuadrave evropiane në fazat me eliminim direkt të Kupës së Botës.

REZULTATI:

BRAZIL 1-2 NORVEGJI

Neymar (P) 90+10′ / Haaland 79′, 90′


Go to TOP