Rregullohet rrethi në Veternik, pritet të lehtësojë qarkullimin në trafik

Rregullimi i rrethit në hyrje të Prishtinës, në Veternik, pritet ta lehtësojë qarkullimin për mijëra qytetarë që e shfrytëzojnë çdo ditë këtë nyje rrugore. Qytetarët e mirëpresin investimin, ndërsa ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se projekti do ta përmirësojë rrjedhën e trafikut dhe do ta rrisë sigurinë në këtë zonë me ngarkesë të lartë.

Ky rreth në hyrje të Prishtinës, në Veternik, nuk është vetëm një vend, por edhe një qasje për mijëra qytetarë të cilët çdo ditë marrin rrugën për në Prishtinë dhe anasjelltas.

Për shumë vite hyrja në Prishtinë ka qenë sfiduese. Kjo për shkak të numrit të automjeteve dhe kolonave të gjata. Megjithatë, qytetarët prapa kamerave i gëzohen rregullimit të këtij rrethi, i cili sipas tyre do ta lehtësojë sadopak qarkullimin në komunikacion.

Eksperti i Komunikacionit, Lavdim Hamiti vlerëson se ky projekt do të ndikojë dukshëm edhe në sigurinë në rrugë.

Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, qëllimi i këtij projekti është lehtësimi i trafikut dhe mundësimi i qasjes së qytetarëve të Prishtinës, veçanërisht i atyre që vijnë nga Komuna e Gjilanit, duke e konsideruar si një nga projektet e rëndësishme infrastrukturore që ka arritur ta finalizojë përmes buxhetit komunal.


Go to TOP