Pse Yamal po mban shiritin ‘Ego’ në Botërorin 2026?
Lamine Yamal ka tërhequr vëmendjen jo vetëm me paraqitjet e tij në Kupën e Botës 2026, por edhe me shiritin që mban në kokë, ku shkruhet fjala “Ego”.
Ylli 18-vjeçar i Spanjës vendosi ta përdorë këtë shirit si përgjigje ndaj kritikëve në rrjetet sociale, të cilët e kanë etiketuar me nofkën “Ego Lamine”, duke pretenduar se vetëbesimi i tij është kthyer në arrogancë.
Në vend që të ndikohej nga komentet, Yamal zgjodhi t’i kthejë ato në motivim. Gjatë ndeshjes ndaj Austrisë, ai u shfaq me shiritin “Ego Yamal”, një mesazh që u interpretua si sfidë ndaj kritikëve dhe një shenjë e forcës së tij mendore.
Paraqitjet e talentit spanjoll kanë qenë ndër faktorët kryesorë të suksesit të “La Rojas” në këtë Botëror. Spanja është një nga skuadrat më bindëse të turneut dhe, pas fazës së 1/16 së finales, mbetet ndër të paktat kombëtare që ende nuk kanë pësuar gol.
Të hënën, spanjollët do të përballen me Portugalinë në një nga sfidat më të mëdha të 1/8 së finales, ndërsa Yamal pritet të jetë sërish një nga armët kryesore të trajnerit Luis de la Fuente.
Ndërkohë, sipas raportimeve nga kampi spanjoll, Yamal, Pedro Porro, Dani Olmo dhe Aymeric Laporte nuk janë stërvitur me intensitet të plotë gjatë javës, por asnjëri prej tyre nuk ka shqetësime serioze dhe pritet të jetë në dispozicion për përballjen ndaj Portugalisë.
