Bajrami: Ekonomia po ngadalësohet, inflacioni dhe varësia nga importi po rriten
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të Raportit Vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2025 duke vlerësuar se të dhënat konfirmojnë shqetësimet për ngadalësimin e rritjes ekonomike, rritjen e inflacionit dhe thellimin e varësisë së vendit nga importi.
Sipas Bajramit, raporti tregon se ekonomia e Kosovës është rritur me 3.6% gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.9%, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë. Ajo theksoi se parashikimet e BQK-së për vitin 2026 janë edhe më shqetësuese, pasi rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në 3.5%, ndërsa inflacioni të arrijë në 6.7%.
Deputetja e LDK-së vuri në pah edhe pabarazinë e madhe tregtare duke theksuar se gjatë vitit 2025 Kosova importoi mallra në vlerë rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksportoi vetëm rreth 869 milionë euro. Sipas saj, deficiti tregtar ka arritur në rreth 6.1 miliardë euro, me një rritje prej 12.5% krahasuar me vitin paraprak, ndërsa importi është rritur për 10.6% dhe eksporti ka shënuar rënie të lehtë prej 0.2%.
Bajrami theksoi se rritja prej 11.5% e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostove për bizneset dhe çmimeve për konsumatorët duke shtuar se këtë barrë e përballojnë qytetarët.
Në fund, ajo bëri thirrje për politika ekonomike që mbështesin prodhimin vendor, rritjen e eksporteve, uljen e kostos së energjisë për bizneset dhe krijimin e vendeve të reja të punës duke vlerësuar se një ekonomi që mbështetet kryesisht në import, konsum dhe remitenca nuk është e qëndrueshme. /Kosova.info/
