Ambasada e Kosovës në SHBA publikon mesazhin e Kurtit për 4 Korrikun

Ambasada e Kosovës në Washington DC ka publikuar një mesazh të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në postimin e shpërndarë në Facebook, theksohet rëndësia historike e Deklaratës së Pavarësisë së 4 korrikut 1776, e cila, sipas tij, “u bë simbol i një epoke të re në historinë e mendimit politik”, ndonëse ishte hartuar në rrethana të ngutshme dhe nën presionin e kohës.

Kurti vë në pah se koncepti i të drejtave të patjetërsueshme, që qëndron në thelb të kësaj deklarate, mbetet aktual edhe sot. “Me të drejta të patjetërsueshme… nënkuptohen ato të drejta që nuk mund të tjetërsohen, madje as me pëlqimin e vetë individit”, citohet në mesazh.

Ai shton se garantimi i këtyre të drejtave për të gjithë njerëzit pa dallim vazhdon të jetë një nga përgjegjësitë kryesore qytetëruese të njerëzimit.

Në fund, Kurti ka uruar popullin amerikan për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke shprehur: “Me dëshirat më të mira për të ardhmen e ndritshme të kombit amerikan, Gëzuar 4 Korrikun dhe urime 250-vjetori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”. /Kosova.info/


Go to TOP