Nga oborri i një xhamie në Prishtinë ngritet flamuri amerikan, Maliqi: Faleminderit Amerikë
Nën intonimin e himnit amerikan dhe mes një ceremonie simbolike të mbushur me mesazhe mirënjohjeje, flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ngrit të shtunën në shtizën e Xhamisë “Prof. Dr. Bedri Kamberi”, në Prishtinë, në shënim të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së. Për të katërtin vit me radhë, ky akt u organizua si shprehje falënderimi për mbështetjen historike amerikane ndaj Kosovës.
Ceremonia nisi me intonimin e himnit amerikan, ndërsa më pas flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ngrit nga imami i Xhamisë “Prof. Dr. Bedri Kamberi”, Labinot Maliqi. Ai tha se ngritja e flamurit amerikan në oborrin e xhamisë tashmë është bërë një traditë, e cila shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sot është një ditë e veçantë. Për të katërtën vit radhazi, në oborrin e kësaj xhamie po ngremë flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtizë për të shënuar Ditën e Pavarësisë së saj. Ky nuk është thjesht një akt ceremonial, është një gjest protokollar, është një shprehje e sinqertë mirënjohjeje. Sot Amerika kremton 250-vjetorin e pavarësisë. Një jubile historik që na kujton lindjen e një shteti të ndërtuar mbi një parim të madh: se njeriu ka dinjitet, se liria është e shenjtë dhe se të drejtat themelore nuk burojnë nga pushteti i njerëzve, por ato burojnë nga Krijuesi i Madhërishëm”, tha Maliqi.
Ai theksoi se një nga shtyllat kryesore mbi të cilat u ndërtuan Shtetet e Bashkuara është liria e besimit dhe e ndërgjegjes, duke shtuar se populli i Kosovës e kupton më së miri vlerën e lirisë dhe të një aleati të sinqertë.
“Një nga vlerat më të çmuara mbi të cilat u ndërtua Amerika është liria e fesë dhe e ndërgjegjes. Themeluesit e saj e kuptuan se besimi nuk mund të imponohet me forcë dhe se njeriu duhet të jetë i lirë ta kërkojë të vërtetën me bindje, me arsye dhe me ndërgjegje. Si popull që kemi përjetuar luftën, padrejtësinë dhe mungesën e lirisë, ne e dimë më mirë se sa e shtrenjtë është liria dhe sa shumë vlen një mik i vërtetë në ditët më të vështira”, u shpreh ai.
Në fund të ceremonisë, Maliqi tha se ngritja e flamurit amerikan në shtizën e xhamisë është dëshmi e mirënjohjes së Kosovës ndaj SHBA-së, duke e cilësuar falënderimin si një vlerë që buron edhe nga mësimet fetare.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë. 4 Korriku shënon 250-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
