Dorëheqja kolektive, shpëtim për LDK-në!
Shkruan: Florim ZEQA
Tashmë një gjë është e qartë: vetëm dorëheqja e Lumir Abdixhikut nuk paraqet zgjidhje për LDK-në! Mbase, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, largimi i kryetarit aktual do t’i hapte rrugë një procesi për zgjedhjen e një kryetari të ri, për të vazhduar me reforma dhe zgjedhje të brendshme në këtë subjekt politik.
Grupet e interesit brenda LDK-së në pikën e vlimit
Kurse tani, pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe humbjeve serike të LDK-së, dorëheqja e kryetarit aktual nuk kryen punë! Dy dekada pas shkuarjes në amshim të liderit historik Ibrahim Rugova, LDK nuk e ka shijuar as edhe një herë të vetme fitoren në zgjedhjet parlamentare!
Madje, rrëshqiti aq poshtë, saqë vendi i dytë do të ishte i barasvlershëm me fitore për LDK-në!
E them pikërisht kështu për faktin se, nga zgjedhjet e vitit 2007 e deri në zgjedhjet e vitit 2019, ishte partia e dytë në vend, kurse pas zgjedhjeve të vitit 2021 ka rrëshqitur në vendin e tretë, duke i humbur katër palë zgjedhje parlamentare, të tretat me radhë me Abdixhikun në krye të saj!
Dihet mirëfilli se kryetari aktual hyri në zgjedhjet e 7 qershorit me pompozitet të madh, nën sloganin e bashkimit të “djathtës shqiptare”, duke besuar në ngritjen e madhe pas bashkimit me Vjosa Osmanin!
Ngritja e vogël simbolike e la përsëri LDK-në larg vendit të dytë, për t’i mbetur kështu vendi i parë ëndërr në shuarje!
Pas humbjes skandaloze të 7 qershorit, jo vetëm që nuk ndodhi bashkimi i “djathtës shqiptare”, por ndodhi ndarja dhe përçarja e brendshme më e madhe pas vdekjes së Ibrahim Rugovës!
Kjo erdhi si rezultat i ngritjes së tensioneve mes klaneve dhe grupeve të interesit në LDK, të cilat ditëve të fundit kanë arritur në pikën e vlimit!
Si pasojë e kësaj, secili klan dhe grup interesi ka filluar të lakojë emra për të parin e partisë.
Për fat të keq, asnjë fraksion politik dhe asnjëri nga politikanët aktualë nuk paraqesin shpresë për ndryshim në LDK, shkaku i konsumimit të skajshëm të tyre në skenën politike për 20 vite rresht humbjesh dhe dështimesh në politikbërjen kosovare.
I kërkoj vetëm gjashtë muaj kohë për ta ringritur LDK-në
Siç e dini ju, lexues besnikë të shkrimeve të mia, qytetarë të respektuar dhe mërgimtarë, pas humbjes së LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, i shtyrë nga dashuria e pafundme për vendin tim dhe dëshira e madhe për rikthimin e LDK-së në partinë e parë politike në vend, pa asnjë lloj ambicieje për pushtet apo privilegj politik, e paraqita publikisht dhe zyrtarisht kandidaturën time për kryetar të LDK-së.
Kjo erdhi si pasojë e katandisjes së partisë drejt greminës së pafund dhe, për shkak të zhgënjimit të thellë të elektoratit të LDK-së nga humbjet e njëpasnjëshme në zgjedhje, e shpreha gatishmërinë për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të partisë më të vjetër në vend, jo pse kam ambicie personale, por për të ndihmuar në ngritjen dhe rikthimin e LDK-së në vendin që e meriton.
Edhe tani po e përsëris të njëjtën gjë, për ta evituar fundin e turpshëm të LDK-së, me zotimin se do të punoj me nder dhe përkushtim për LDK-në, me dashuri hyjnore për vendin dhe qytetarët, duke ju garantuar që, nga tani e deri në zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme në vjeshtën e këtij viti, LDK-në do ta kthej në vendin e dytë, kurse në zgjedhjet e rregullta parlamentare pas katër vitesh, LDK-në do ta bëj “Zonjë” të skenës politike kosovare, duke e rikthyer aty ku na e la lideri historik Ibrahim Rugova.
Ky nuk është vetëm premtim dhe dëshirë personale, por mundësi reale për t’i përmbushur kërkesat e elektoratit rugovian të LDK-së.
Për këtë më duhen vetëm 6 muaj kohë për ta kthyer në rrugë të mbarë ish-LDK-në rugoviane!
Kjo që ofroj unë nuk është rrugë e re dhe as e vjetër, por është kthim në ADN-në politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila për qëllim ka rikthimin e besimit të qytetarëve në politikëbërje dhe shtetndërtim.
Vetëm dorëheqja kolektive e Kryesisë dhe e Këshillit të Përgjithshëm do t’i hapë rrugë ndryshimit substancial dhe përmbajtësor në LDK.
Ju garantoj se do të organizoj zgjedhje të brendshme, të ndershme, të lira dhe demokratike nga poshtë-lart, prej të cilave do të dalin organet drejtuese të partisë.
Besimi juaj, përgjegjësia ime!
Me përkushtim dhe dashuri:
Florim Zeqa, kandidat për Kryetar të LDK-së.
