Kalkulantët, bashkëpjesëmarrës në rrënimin e LDK-së!
Shkruan: Florim ZEQA
Lajmi i mirë për LDK-në do të ishte sikur, pas përfundimit të takimit “konsultues” të kryetarit Abdixhiku me kryetarët e degëve, të dilnin me komunikatën se, nga nesër, fillon procesi i brendshëm zgjedhor në LDK, e jo të thuhet se, nga sot, fillon debati në LDK!
Statuti elastik i LDK-së, shpëtim për dështakët politikë
Debati në LDK është i hapur që nga Kuvendi i VI, apo Kuvendi i Karrigeve, nga Kuvendi i VIII i katandisjes së LDK-së e deri te kuvendi i fundit, më 31 janar të këtij viti, ku u përligj rrënimi i LDK-së rugoviane!
Deklarata e “Kolegjiumit” të degëve të LDK-së e dëshmon kapjen e kësaj partie nga klanet dhe grupet e interesit! Nuk ka si të jetë ndryshe, kur arsyetohet humbja e thellë në zgjedhjet e 7 qershorit dhe zgjedhjet e brendshme partiake prolongohen “përgjatë vitit 2027”, pa caktuar afate kohore se kur do të mbahen ato!
Është interesant të thuhet se klanorët e LDK-së, kur u konvenon, thirren në statutin elastik të partisë, ndërsa kur nuk u konvenon, jo vetëm që e harrojnë, por e shkelin me të dyja këmbët, siç është rasti i kryetarit aktual, i cili e gëlltiti dorëheqjen e ofruar vitin e kaluar si akt moral për humbjen në zgjedhje, të cilën e ktheu në “mocion besimi”, ku, për një fije floku, i shpëtoi shkarkimit në kuvendin e ashtuquajtur të punës!
Kurse tani, pas humbjes së tretë radhazi më 7 qershor, nuk flet më për përgjegjësi politike, por për vazhdimësi të drejtimit (kapjes) të LDK-së, në kundërshtim me vullnetin e elektoratit!
Kalkulantët, vegla të secilit që e drejton partinë
Sikur të ishte vetëm kryetari fajtor për humbjen, kjo do të ishte e keqja më e vogël, por është një soj tjetër i njerëzve brenda LDK-së, të cilët gjithmonë bëjnë kalkulime se si t’i ofrohen apo t’i imponohen kryetarit të partisë, për të nxjerrë ndonjë privilegj prej tij!
Kalkulantët janë tërë kohën aktivë në rrjetet sociale dhe, ashtu siç varion politika ditore, i ndryshojnë qëndrimet e tyre!
Për ta dëshmuar këtë, po e ilustroj me një shembull praktik: “Një figurë e lartë e LDK-së, derisa ishte Fatmir Sejdiu kryetar, në profilin e tij mbante vetëm fotot e tij! Mirëpo, pas rënies së Sejdiut përmes puçit politik, brenda natës e rifreskon profilin e tij, duke i zëvendësuar fotot e Fatmir Sejdiut me fotot e Isa Mustafës!”
Ky soj i servilëve e ka sjellë në këtë derexhe LDK-në, në të cilën qëndrojnë vetëm formalisht për realizimin e interesave personale, kurse në zgjedhje votojnë, mbase edhe votojnë, për partitë rivale të LDK-së, me qëllim të hapjes edhe të një dere tjetër për kënaqjen e egos për pushtet dhe privilegje personale!
Kalkulantët politikë, sa herë që hapet debati politik në LDK, heshtin dhe presin përfundimin e debatit për të treguar pozicionin e tyre në përputhje me epilogun e debatit, duke u arsyetuar në këtë mënyrë: “Unë i respektoj vendimet e organeve drejtuese të partisë”!
Thënë ndryshe, pa ekuivok, kalkulantët janë pjesëmarrës në rrënimin e LDK-së post-rugoviane, duke mbështetur herë njërin e herë tjetrin klan për interesa personale.
Për dallim prej servilëve dhe puthadorëve të kryetarit, aktivistët dhe veprimtarët e devotshëm janë sikurse çlirimtarët që e bëjnë luftën për ideale pa asnjë lloj kalkulimi! Nuk i nënshtrohen egos së askujt, nuk shiten dhe as nuk blihen në fushata zgjedhore!
