KEK tejkalon kërkesën për konsum në qershor, ofroi 108.2% të kapaciteteve prodhuese
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se gjatë muajit qershor 2026 ka siguruar kapacitete prodhuese që tejkalojnë kërkesën për konsum të rregulluar duke ofruar 108.2 për qind të energjisë së nevojshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga KEK, gjatë qershorit janë vënë në dispozicion 305,916 MWh energji elektrike, ndërsa kërkesa për konsum ka qenë 282,608 MWh. Kjo përfaqëson një tejkalim të kërkesës prej 8.2 për qind.
KEK thekson se, pas rikthimit në operim të njësive prodhuese, gjatë pjesës më të madhe të muajit ka arritur të ofrojë mbi 120 për qind të kërkesës ditore për konsum duke dëshmuar stabilitet operacional dhe besueshmëri të kapaciteteve prodhuese.
Sipas korporatës, ky rezultat është arritur në një periudhë kur po zbatohet programi më i madh i investimeve dhe modernizimit në historinë e KEK-ut, që përfshin rehabilitimin e njësive gjeneruese pas më shumë se 40 vitesh operim, si dhe zhvillimin e projekteve strategjike në fushën e energjisë së ripërtëritshme. /Kosova.info/
