ShPQK njofton fermerët: Raportimi i të dhënave për qumështin është obligim ligjor
Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (ShPQK) ka njoftuar fermerët dhe operatorët e pikave të grumbullimit të qumështit se Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural (MBPZhR), në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), është duke zbatuar procesin e monitorimit të tregut të qumështit dhe produkteve të qumështit, njofton Kosova.info.
Sipas njoftimit të Shoqatës, të gjithë operatorët e biznesit që merren me grumbullimin, përpunimin, furnizimin dhe tregtimin e qumështit dhe produkteve të tij janë të obliguar, në bazë të vendimit të MBPZhR-së dhe Ligjit për Ushqimin, të raportojnë të dhënat sipas formularit të përcaktuar nga autoritetet kompetente.
Shoqata thekson se raportimi është detyrim ligjor dhe synon të rrisë sigurinë ushqimore, transparencën e tregut, gjurmueshmërinë e produkteve të qumështit, si dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të qumështit në Republikën e Kosovës.
Për të marrë formularin e raportimit, fermerët dhe operatorët e pikave të grumbullimit mund të kontaktojnë Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës në adresat elektronike [email protected] dhe [email protected].
Shoqata u bën thirrje të gjithë fermerëve dhe operatorëve që ta përmbushin këtë obligim brenda afatit të përcaktuar dhe të bashkëpunojnë me institucionet kompetente.
