​KK i Prishtinës miratoi Kornizën afatmesme buxhetore 2027-2029

Me 41 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi Kornizën afatmesme buxhetore për periudhën 2027-2029.

Në një seancë të jashtëzakonshme, kritika për të kishin vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe PSD-ja.

Drejtoresha e Financave në Komunën e Prishtinës, Valbona Makolli, prezantoi dokumentin e Kornizës afatmesme buxhetore.

“Korniza afatmesme buxhetore, është një ndër dokumentet bazë, në bazë të së cilës shihet strategjia dhe zhvillimi i kryeqytetit për këtë periudhë kohore. Korniza afatmesme buxhetore është e përpiluar në përputhje me procedurat buxhetore për vitet 2027–2029, të dhëna nga Ministria e Financave përmes Qarkores buxhetore 2027/01 për komunat, si dhe për nivelet e tjera qeveritare. Korniza afatmesme buxhetore përmban të gjitha objektivat e Komunës së Prishtinës për këtë periudhë, e cila është në harmonizim me objektivat e Qeverisë së Kosovës, si dhe përcakton të gjitha limitet e shpenzimeve buxhetore sipas planifikimeve, pas dëgjimeve buxhetore dhe pas pranimit të qarkores së dytë nga Ministria e Financave”, tha ajo.

Shefi i grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, tha se do ta mbështesin miratimin e Kornizës afatmesme buxhetore.

“Ne e përkrahim propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore për periudhën 2027-2029 “, tha ai.

Pro ishte edhe Fjolla Vukshinaj nga PDK-ja, duke e vlerësuar dokumentin më të detajuar se në vitet e kaluara.

“Sot kemi para vetes Kornizën afatmesme buxhetore, një dokument që i paraprin buxhetit të vitit 2027 dhe përcakton orientimin zhvillimor të kryeqytetit për vitet në vijim. Prandaj, nuk është vetëm një dokument financiar, por një dokument politik, sepse tregon se ku duhet të shkojë Prishtina.Në emër të grupit të asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dua të them se e vlerësojmë punën që është bërë në përgatitjen e këtij dokumenti. Korniza është më e detajuar sesa në vitet e kaluara, është më e qartë në paraqitjen e të hyrave dhe reflekton rekomandimet e Ministrisë së Financave. Kjo është për t’u përshëndetur”, tha ajo.

Nga ana tjetër, në emër të  i Lëvizjes Vetëvendosje, Feim Osmani, kritikoi përmbajtjen e dokumentit, duke e cilësuar atë si të paqartë në aspektin zhvillimor dhe pa vizion afatgjatë.

“Sikurse edhe herët e tjera, kjo kornizë afatmesme buxhetore e kryeqytetit, e komunës, i cili përcakton kornizën buxhetore për tri vitet e ardhshme, nuk është se është paraqitur edhe ky dokument i hartuar nga ju sikurse në aspektin e të hyrave, ashtu edhe në aspektin e shpenzimeve, nuk është plan ambicioz, por shumë e shumë një dokument i cili është përshtatje e trendeve, pa strategji zhvillimore e pa vizion fare. Në aspektin e të hyrave, për shembull, është planifikim i varur krejtësisht nga grantet qeveritare, të cilat për tri vitet e ardhshme, domethënë nga viti 2027 deri në vitin 2029, ka shifrën prej 372 milionë euro. Ndërsa të hyrat vetanake për këtë periudhë tri-vjeçare nuk shënojnë më shumë se 138 milionë euro në këtë kornizë, ose vetëm 37 për qind e gjithë buxhetit të paraparë në kornizën afatmesme. Ky planifikim tregon se kryeqyteti në drejtimin tuaj po ndjek trendin pa strategji e pa vizion fare”, tha Osmani.

Kritika kishte edhe nga Partia Socialdemokrate. Asamblistja Besa Shahini foli për arsimin dhe sheshin “Xhorxh Bush”

“Nxënësit e Prishtinës janë katër vite prapa. Kur e kryejnë gjimnazin nuk janë gati as për universitet as treg pune e as për jetë. Janë paraparë të ndërtohen dy shkolla. Ajo që është bërë nga qeverisja e mandatit të kaluar është eksperimenti i Jehona Lushakut për mësimin tërëditor, është një pavarësi e thellë në kryeqytet. Në vend se të planifikohet numri i nevojshëm ajo nuk është bërë. Edhe në këtë mandat që jemi, edhe me ia dhënë edhe pesë mandate të tjera nuk do të zgjidhet kurrë çështja e arsimit në kryeqytet. Sheshi nuk ka qenë prioritet për qytetarët e Prishtinës. U nis si një projekt kurajoz, i cili fillimisht ishte pozitiv pasi po mbyllej një hapësirë në qendër për trafikun në mënyrë që njerëzit të mund të dilnin e të shëtisnin. Megjithatë, ai po përfundon në një projekt që i kushton jashtëzakonisht shumë buxhetit të Komunës së Prishtinës”, tha Shahini.


Go to TOP