Mediat gjermane shpërthejnë pas eliminimit: ‘Një turp i ri’

Eliminimi i Gjermanisë nga Kupa e Botës 2026 ka shkaktuar reagime të ashpra në mediat gjermane, të cilat nuk kursyen kritikat ndaj përfaqësueses dhe trajnerit Julian Nagelsmann.

Gjermania u eliminua nga Paraguai pas goditjeve të penalltive, pasi ndeshja përfundoi 1-1 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve.

Më pas, Paraguai triumfoi 4-3 nga pika e bardhë, duke i shkaktuar Gjermanisë humbjen e parë me penallti në historinë e saj në një Kupë Bote.

Gazeta “Bild” e cilësoi eliminimin si një “turp kolosal”, duke shkruar se kombëtarja gjermane ishte “turpëruar deri në palcë”.

Në analizën e saj, ‘Bild’ vlerësoi se Gjermania ishte krejtësisht jashtë loje në pjesën e parë dhe ia atribuoi përgjegjësinë kryesore trajnerit Julian Nagelsmann, të cilit i dha notën më të ulët të mundshme.

Edhe revista “Kicker” ishte po aq e ashpër, duke e cilësuar eliminimin si “një aktakuzë ndaj futbollit gjerman dhe Nagelsmannit”, me argumentin se trajneri nuk arriti të krijojë një skuadër funksionale dhe të nxjerrë në pah cilësitë e lojtarëve.

Ndërkohë, “Suddeutsche Zeitung” e përmblodhi zhgënjimin me titullin “Një turp i ri”, ndërsa “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkroi se marrëdhënia mes Nagelsmannit dhe kombëtares “është e pariparueshme”, duke lënë të kuptohet se largimi i tij është vetëm çështje kohe.

Pas eliminimit, në Gjermani kanë nisur menjëherë edhe spekulimet për pasardhësin e mundshëm të Nagelsmannit.

Emri që po përmendet më së shumti është ai i Jurgen Klopp, ish-trajnerit të Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit, i cili prej kohësh konsiderohet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e kombëtares gjermane.

Go to TOP