Ardian Krasniqi: Besuat tek unë, faleminderit!
Boksieri shqiptar Ardian Krasniqi pak ditë më parë arriti një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën profesioniste duke fituar titullin e kampionit të Evropës dhe njëkohësisht duke mbrojtur me sukses titullin WBO Intercontinental.
Krasniqi triumfoi ndaj boksierit kroat Vinko Zadro pas një dueli të zhvilluar në 12 raunde, duke vazhduar serinë e tij të shkëlqyer në ring. Me këtë fitore, ai mbetet i pamposhtur në boksin profesionist, me bilanc prej 13 fitoresh në po aq meçe.
Pas triumfit, Krasniqi ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij duke ia dedikuar suksesin familjes, trajnerëve dhe tifozëve shqiptarë.
“U shpalla kampion i Evropës dhe mbrojta me sukses titullin tim WBO Intercontinental. Faleminderit nga zemra të gjithë tifozëve që më dhatë forcë dhe besuat tek unë. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time, sidomos për babanë tim, Agimin, i cili sakrifikoi gjithçka që unë të jem sot këtu ku jam. Ky sukses mban edhe emrin e tij”, ka shkruar Krasniqi në rrjetet sociale.
Ai shprehu mirënjohje edhe për xhaxhain e tij, Luanin, të cilin e konsideron njeriun që e frymëzoi të merrej me boks.
“Faleminderit xhaxhait tim, Luanit, sepse gjithçka filloi prej tij. Ai është arsyeja pse hyra në këtë rrugëtim dhe pse sot jetoj këtë ëndërr. Faleminderit trajnerëve, vëllezërve të mi dhe gjithë stafit për besimin dhe mbështetjen e palëkundur. Ky është vetëm fillimi. Rruga drejt titullit të kampionit të botës tani është e hapur”, ka përfunduar ai.
Triumfi ndaj Zadros e forcon pozitën e Krasniqit në arenën ndërkombëtare dhe e afron atë me sfidat për titujt më të rëndësishëm në boksin profesionist.
