​30 ditë paraburgim Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën, i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Arjeta Roshajt, e dyshuar për vrasjen e një 32-vjeçari në Ferizaj më 28 qershor 2026.

Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe pas mbajtjes së seancës dëgjimore para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Sipas Prokurorisë viktima, me inicialet F.H., kishte shkuar në banesën ku ndodhej e dyshuara. Gjatë qëndrimit aty, mes tyre dyshohet se ka shpërthyer një mosmarrëveshje që ka eskaluar në përleshje fizike.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë, gjatë përleshjes e dyshuara ia ka marrë armën e zjarrit viktimës dhe ka shtënë një herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Si pasojë e plagëve të marra, F.H. ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Arjeta Roshaj dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje”, të paraparë me nenin 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


Go to TOP