Abdixhiku në pritjen e Ambasadës Britanike: Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, me rastin e ditëlindjes zyrtare të Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III.

Përmes një postimi, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar duke e cilësuar shtetin britanik si një nga aleatët dhe partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit demokratik.

“Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në rrugëtimin tonë për liri, shtetndërtim dhe forcim demokratik. Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme dhe për miqësinë e qëndrueshme ndërmjet vendeve tona”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka vlerësuar rolin e miqve ndërkombëtarë në proceset kyçe të Kosovës duke theksuar se partneriteti me shtetet aleate mbetet thelbësor për zhvillimin dhe forcimin e Republikës.

“Forca e Kosovës ka qenë gjithmonë te miqtë e saj. Krah për krah me ta kemi fituar lirinë, kemi ndërtuar shtetin dhe do ta forcojmë edhe më tej Republikën tonë. Kjo është rruga jonë. Dhe nuk ka asgjë që e ndal”, ka deklaruar Abdixhiku.

Pritja e organizuar nga Ambasada Britanike mblodhi përfaqësues të institucioneve, partive politike, trupit diplomatik dhe personalitete të ndryshme të jetës publike në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP