Albas sjell më shumë se 30 tituj të rinj sivjet në Panairin e Librit, prezanton biografinë për fëmijë “Unë jam Majlinda Kelmendi”

Shtëpia Botuese Albas këtë vit në Panairin e Librit në Prishtinë, i cili do të mbahet nga 17 deri më 21 qershor në Pallatin e Rinisë, vjen me një fond të pasur prej më shumë se 30 titujsh të rinj. Albas sjell për lexuesit një përzgjedhje të gjerë veprash, që shtrihen nga fusha e letërsisë artistike, librit për fëmijë, arsimit, shkencave shoqërore dhe botimeve enciklopedike.

Një nga veprat më të veçanta që do të prezantohet këtë vit është libri për fëmijë “Unë jam Majlinda Kelmendi” i autores Teuta Berisha. Ky botim, që del për herë të parë ekskluzivisht në panair, është biografia e autorizuar e kampiones sonë olimpike, e shkruar në vetën e parë. Libri vjen në kuadër të kolanës “Më quajnë…” dhe shënon nisjen e serisë së re “Unë jam…”, dedikuar personazheve të gjalla të spikatura, duke sjellë rrëfime frymëzuese për lexuesit e vegjël.

Shtëpia Botuese Albas mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj për të promovuar kulturën e leximit dhe vlerat universale të librit, duke mbrojtur njëkohësisht të drejtën e autorit dhe duke ofruar tituj të rinj e cilësorë për lexuesit e të gjitha moshave.

SHB Albas mirëpret të gjithë lexuesit të na vizitojnë te shtandi ynë në Panairin e Librit në Prishtinë, për t’u njohur nga afër me botimet tona më të reja. /Kosova.info/

Go to TOP