Murati: Ekonomia u rrit me 5.43% në tremujorin e parë, bllokada politike rrezikoi trendin pozitiv
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.43 për qind gjatë tremujorit të parë të këtij viti duke e cilësuar këtë si një përshpejtim të ritmit të zhvillimit ekonomik pavarësisht sfidave globale.
Sipas Muratit, rezultati pozitiv është ndikuar edhe nga rritja e besimit të bizneseve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, në të cilat, sipas tij, qeveria u rikonfirmua me 51.1 për qind të votave.
“Me qeveri të rikonfirmuar me 51.1% në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, sigurisht që u rrit edhe konfidenca e bizneseve për të investuar e për ta zgjeruar aktivitetin biznesor”, ka shkruar Murati.
Ai ka kritikuar opozitën për zhvillimet politike pas zgjedhjeve duke vlerësuar se bllokada e krijuar e ka ndërprerë trendin pozitiv ekonomik.
“Bllokada e bllokut opozitar që na dërgoi në zgjedhje të panevojshme, e ndërpreu këtë trend në gjysmë”, ka deklaruar ai.
Murati shtoi se mbetet të shihet se çfarë ndikimi do të ketë pasur situata politike në performancën ekonomike të vendit duke theksuar se kjo do të reflektohet në të dhënat e tremujorit të dytë kur ato të publikohen. /Kosova.info/
