Shpargu, kultura e së ardhmes në Kosovë

Nga një ide studentore deri te një kulturë që siguron treg të garantuar dhe prodhim për rreth 20 vjet. Shpargu, një ndër perimet më të çmuara në tregun evropian, po gjen vend edhe në Kosovë falë fermerëve vizionarë.

Njëri prej tyre është Alkend Tahirsylaj nga Istogu, i cili prej vitesh dëshmon se guximi për të investuar në kultura të reja mund të sjellë sukses të madh.

Në vitin 2012, kur ishte ende student në Fakultetin e Bujqësisë, Alkend Tahirsylaj pati idenë të merrej me kultivimin e shpargut. Në atë kohë, kjo kulturë po promovohej përmes një granti nga një organizatë amerikane që vepronte në Kosovë.

AlkendTahirsylaj, tashmë agronom dhe kultivues i shpargut nga fshati Llugë i Istogut, fillimisht mbolli një hektar me këtë kulturë, duke u bërë ndër pionierët e saj në vend.

“Kur e fillova këtë veprimtari, shpargu ishte një kulturë e re për Kosovën. Sot jam i bindur se, me menaxhim të mirë, është një ndër kulturat më fitimprurëse”, tha ai.

Shpargu preferon toka të lehta dhe ranore. Gjatë pesë viteve të para kërkon sasi të konsiderueshme ujitjeje, ndërsa më pas nevojat për ujë bien ndjeshëm falë zhvillimit të sistemit rrënjor.

Ai është perimi i vetëm shumëvjeçar dhe, nëse menaxhohet si duhet, mund të prodhojë për rreth 20 vjet.

Mbjellja mund të realizohet në tri forma të ndryshme, ndërsa periudha më e përshtatshme është muaji prill dhe fillimi i majit. Investimi për ngritjen e një hektari me shparg arrin rreth 25 mijë euro.

Një hektar mund të japë deri në 3 mijë kilogramë prodhim, ndërsa çmimi i shitjes arrin rreth 7 euro për kilogram.

“Shitjen e kemi të garantuar, ndërsa kërkesa për këtë produkt vazhdon të jetë e lartë”, shtoi ai.

Vjelja e shpargut është tërësisht manuale dhe zhvillohet çdo ditë, duke filluar rreth datës 10 prill e deri më 10 qershor.

Që nga viti 2017, shpargu subvencionohet në Kosovë. Alkendi shprehet i kënaqur me mbështetjen institucionale, ndërsa thekson se sot nuk ka nevojë as për depo ftohëse, pasi prodhimi shitet menjëherë pas vjeljes.

“Më parë grantet mungonin, por sot produkti gjen treg menjëherë dhe nuk kemi nevojë ta ruajmë në depo”, nënvizoi ai.

Shpargu është bimë vetëpolenizuese, megjithatë bimët mashkullore duhet të menaxhohen me kujdes për të mos ndikuar negativisht në rendiment.

Sa i përket sëmundjeve, problemi kryesor mbetet kalbëzimi i rrënjës, por në parcelat e Alkendit kjo sëmundje nuk është paraqitur.

Aktualisht, në Kosovë janë të mbjella rreth pesë hektarë me shparg. Sipas tij, nëse sigurohet fuqi e mjaftueshme punëtore, kjo kulturë paraqet një mundësi të shkëlqyer për fitim dhe zhvillim të bujqësisë.

Përveç vlerës ekonomike, shpargu është edhe një ndër perimet më të pasura me vitamina, minerale, acid folik dhe fibra, të cilat ndikojnë pozitivisht në sistemin tretës dhe ndihmojnë në largimin e toksinave nga organizmi.

Ai mund të konsumohet i freskët, i zier ose i pjekur, ndërsa sasia e konsumit përshtatet sipas moshës dhe nevojave ushqyese.

Go to TOP