Skocia mposht Haitin dhe rikthehet te fitorja në Botëror pas 36 vjetësh
Skocia e ka nisur me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, duke e mposhtur Haitin me rezultat minimal 1:0, në ndeshjen e dytë të Grupit C.
Heroi i skocezëve në takimin e zhvilluar në Boston ishte mesfushori i Aston Villës, John McGinn, i cili realizoi golin e vetëm në minutën e 29-të.
Kjo ishte fitorja e parë e Skocisë në një turne të madh botëror që nga viti 1990.
Skuadra e drejtuar nga Steve Clarke e nisi më mirë ndeshjen dhe rrezikoi fillimisht përmes Scott McTominayt. Mesfushori skocez goditi mbi portë në minutën e shtatë, ndërsa pak çaste më vonë e qëlloi shtyllën.
Presioni i Skocisë u konkretizua në minutën e 29-të. Che Adams e kontrolloi me mjeshtëri një top të gjatë dhe e pasoi atë te Ben Gannon-Doak. Krosimi i këtij të fundit u largua pjesërisht nga mbrojtja haitiane, por topi përfundoi te McGinn, i cili realizoi me një goditje nga skaji i zonës, të devijuar nga njëri prej mbrojtësve.
Haiti reagoi pas pushimit për freskim dhe krijoi disa gjysmëraste. Ruben Providence iu afrua golit të barazimit pasi depërtoi nga krahu dhe goditi ulët, por portieri Angus Gunn ndërhyri, ndonëse nuk arriti ta kontrollonte menjëherë topin.
Edhe pjesa e dytë ishte dinamike, por me pak raste të pastra për shënim.
McGinn pati mundësi ta realizonte edhe golin e dytë, por goditja e tij nga brenda zonës përfundoi jashtë portës, nën presionin e Ricardo Ades.
Në anën tjetër, Providence dërgoi një top të rrezikshëm përgjatë zonës së Skocisë, por Wilson Isidor nuk arriti ta devijonte atë drejt portës.
Haiti e pati mundësinë e fundit për ta barazuar rezultatin në minutat përmbyllëse. Frantzdy Pierrot kërceu më lart se mbrojtësit skocezë dhe goditi me kokë pas një krosimi nga krahu i djathtë, por topi përfundoi pranë shtyllës.
Skocia e menaxhoi epërsinë deri në fund dhe i arkëtoi tri pikët e para në Grupin C, ku bëjnë pjesë edhe Brazili dhe Maroku.
