Shaban Gjekaj nderohet nga RTP për 58 vjet kontribut në muzikën popullore tradicionale

Këngëtari dhe kantautori i njohur Shaban Gjekaj ka marrë një mirënjohje nga Radio Televizioni i Prishtinës (RTP) për kontributin e tij 58-vjeçar në muzikën popullore tradicionale shqiptare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gjekaj, i cili tha se mirënjohja i ka mbërritur në prag të ditëlindjes së tij duke e cilësuar atë si një surprizë të këndshme dhe vlerësim të veçantë për punën e tij artistike ndër vite.

Sipas tij, mirënjohja është akorduar nga bordi drejtues i RTP-së, në krye me Dr. Qemail Sokolin, për angazhimin dhe kontributin e gjatë si këngëtar popullor tradicional dhe si kantautor.

“Faleminderit Kosovë, faleminderit RTP, faleminderit Dr. Qemail Sokoli”, ka shkruar Gjekaj në reagimin e tij publik.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për mikun e tij, poetin Hajro Ulqinaku, i cili ia ka sjellë personalisht këtë vlerësim nga Prishtina në Ulqin.

Ky vlerësim konsiderohet një njohje e rëndësishme për një prej emrave që ka kontribuar për dekada në ruajtjen dhe promovimin e këngës popullore tradicionale shqiptare. /Kosova.info/


Go to TOP