Salihu: Nga këngët pjesëmarrëse mund të dalë një vizion i ri kreativ

Skenaristi i festivalit “Akordet e Kosovës 2026”, Genc Salihu, ka bërë me dije se festivali ka kaluar fazën e paraprodhimit dhe tashmë ka hyrë në procesin e realizimit, ndërsa aplikimet për artistët e interesuar mbeten ende të hapura.

I ftuar në emisionin “Pasdite” në RTK, Salihu tha se ekipi organizativ ka nisur punën konkrete për ndërtimin e festivalit duke përfshirë konceptimin artistik, përzgjedhjen e materialeve dhe përgatitjet për provat.

“Po hyjmë në prodhim, domethënë po fillojmë me e ndërtu festivalin fizikisht, me e konceptu, me e shkru dhe me e realizu. Pas pak javësh fillojnë edhe provat dhe festivali po afron shumë shpejt”, u shpreh ai.

Salihu vlerësoi se “Akordet e Kosovës” tashmë është konsoliduar si festival dhe se interesimi i artistëve është rritur nga viti në vit.

“Edicionet e deritanishme kanë qenë të suksesshme dhe kanë pasur jehonë edhe rajonale. Artistët tashmë ndihen të sigurt që po aplikojnë në një festival serioz dhe me kredibilitet. Kemi pasur rritje si në numër, ashtu edhe në cilësinë e aplikimeve dhe e njëjta po ndodh edhe sivjet”, deklaroi ai.

Ai shtoi se procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet sipas rregullores së festivalit dhe se përbërja finale e garës do të bëhet e ditur pas përfundimit të aplikimeve.

Sipas Salihut, një nga veçantitë e festivalit është se përmbajtja artistike ndërtohet edhe mbi bazën e këngëve që aplikojnë.

“Kur vijnë këngët pjesëmarrëse, ato e japin inputin e vet në programim. Nëse ka materiale shumë interesante ose një kimi mes tyre, mund të krijohet edhe një vizion i ri kreativ për kurimin e të gjithë festivalit”, tha ai.

Afati i aplikimit vazhdon të mbetet i hapur deri më 31 gusht 2026, në orën 23:59 dhe është i qasshëm në ueb-faqen zyrtare të RTK-së.

Për Mbrëmjen e Muzikës Moderne, ftohen të aplikojnë këngëtarë, kompozitorë dhe tekstshkrues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare, me vepra të reja muzikore që pasqyrojnë zhvillimet bashkëkohore të muzikës shqiptare.

Ndërkaq, Mbrëmja e Muzikës për Fëmijë synon promovimin e talenteve të reja dhe të krijimtarisë muzikore për fëmijë. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë fëmijët e moshës 9 deri në 14 vjeç, ndërsa në garë mund të përfshihen edhe kompozitorë e tekstshkrues nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.


Go to TOP