KOMF alarmon: Fëmijët po shfrytëzohen në fushatë, kërkohen masa nga KQZ
Përkundër thirrjeve të vazhdueshme nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), subjektet politike në vend po vazhdojnë të përfshijnë fëmijët në aktivitetet e fushatës zgjedhore.
KOMF ka ritheksuar se përfshirja e fëmijëve për qëllime politike përbën shkelje të të drejtave të tyre duke cenuar dinjitetin dhe mirëqenien e tyre. Sipas këtij koalicioni, praktika të tilla bien ndesh me parimin themelor të interesit më të mirë të fëmijës.
Në reagimin e tyre, KOMF ka bërë thirrje që këto veprime të ndalen menjëherë duke theksuar se fëmijët nuk duhet të përdoren për promovim politik apo përfitime elektorale.
Po ashtu, KOMF i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të monitorojë në mënyrë aktive aktivitetet e subjekteve politike dhe, në çdo rast kur konstatohet përfshirja e fëmijëve në fushatë, të ndërmarrë masa konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ky reagim vjen në një kohë kur fushata zgjedhore është intensifikuar, ndërsa organizatat për mbrojtjen e fëmijëve po kërkojnë respektim të plotë të të drejtave të tyre dhe shmangien e çdo forme të shfrytëzimit. /Kosova.info/
