Ministria e Fitore Pacollit vendos emra të rinj të rrugëve në veri, komuna i mbulon

Ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka vendosur tabelat e emrave të rinj të disa rrugëve në veri të Kosovës.

Kjo ka ngjallur pakënaqësi të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili i ka mbuluar shenjat, para se policia t’i hiqte mbulojat.

Në pamjet e publikuara nga mediumi lokal në gjuhën serbe “Kossev”, në rrethin në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur shenjat me emrat “Zoran Gjingjiq” dhe “Isa Boletini”.

Pacolli ka thënë për gazetarët aty se qytetarët kanë qenë të informuar.

“Ne tani si Ministri po i vendosim, është vetëm proces teknik që ka mbetur”, ka thënë Pacolli.

Ajo ka thënë se emrat janë miratuar nga Asambleja Komunale vitin e shkuar.

Sipas saj, vendimi ishte propozuar nga një komision që ka punuar disa muaj për emrat e rreth 80 rrugëve.

Menjëherë pas këtij veprimi, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, i mbuloi shenjat e rrugëve, duke e quajtur një veprim të tillë, si propagandë, pasi sipas tij, komuna e ka anuluar vendimin e vitit të kaluar.

“Sot jemi përballë një propagande tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje. Ata i vendosën tabelat në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Siç dihet, më 30 janar ne kemi miratuar një vendim që e ka shfuqizuar aktin e mëparshëm për riemërtimin e rrugëve, sepse ishte miratuar në kundërshtim me ligjit, nuk pati debat publik dhe nuk pati komision shumë etnik. Asnjë serb nuk mori pjesë në punën e atij komisioni, kështu që vendimet ishin absolutisht të paligjshme”, ka thënë ai.

Pasi i mbuloi shenjat e vendosura nga Ministria, ndërhyri Policia e Kosovës që i hoqi mbulojat.

Vendimi për ndryshimin e 87 rrugëve në këtë komunë ishte miratuar më 25 gusht 2025. Atë kohë Mitrovica e Veriut udhëhiqej nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndërkaq Lista Serbe u rikthye në udhëheqje në fundvitin e shkuar.

Go to TOP