Avdyli ironizon Kurtin: Planet e mira në 2026, pse nuk u nisën kur kishte 50%?

Kandidati për deputet nga LDK, Haxhi Avdyli, ka reaguar me tone ironike ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me projektet e paralajmëruara.

Përmes një reagimi publik, Avdyli ka vënë në pikëpyetje kohën e prezantimit të këtyre planeve duke theksuar se ato do të ishin të mirëpritura në vitin 2020, por jo në vitin 2026.

Ai ka kritikuar zvarritjen e projekteve duke ironizuar premtimet për nisje “gjatë vitit”, “në korrik” apo “shpejt”, ndërsa ka pyetur pse këto iniciativa nuk janë realizuar më herët, kur qeveria kishte shumicë të fuqishme.

Sipas Avdylit, gjatë viteve 2021–2026 ka ekzistuar stabilitet politik dhe numra të mjaftueshëm për të shtyrë përpara projekte madhore, por sipas tij, mungojnë rezultatet konkrete.

Ai gjithashtu ka kritikuar tendencën për t’ia faturuar fajin qeverive të kaluara duke përmendur se nuk mund të justifikohet mosrealizimi i projekteve për gjashtë vite radhazi me zhvillime të vitit 2014.

Në fund, Avdyli ka përmbyllur reagimin me ironi duke lënë të kuptohet se projektet e paralajmëruara mund të shtyhen sërish për muaj, vite apo edhe dekada. /Kosova.info/


Go to TOP