Peci kundërshton Kurtin: Vetëm 8 shtete të BE-së kanë xhandarmëri, jo 18

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Lulzim Peci, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti duke i cilësuar si të pasakta pretendimet për numrin e vendeve të Bashkimit Evropian që kanë forca paramilitare të tipit xhandarmëri.

Sipas Pecit, vetëm tetë shtete të BE-së posedojnë struktura të tilla, e jo 18 siç është deklaruar në një debat televiziv. Ai i referohet të dhënave të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), ku përfshihen Franca, Holanda, Italia, Lituania, Polonia, Portugalia, Rumania dhe Spanja.

Peci thekson gjithashtu se në rajonin e Ballkanit, vetëm Serbia ka një forcë të organizuar të xhandarmërisë.

Duke komentuar idenë për themelimin e një xhandarmërie në Kosovë, ai vlerëson se një hap i tillë kërkon fillimisht një rishikim të plotë të sektorit të sigurisë, për të analizuar nevojën reale dhe ndikimin që do të kishte në organizimin aktual të Policia e Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë.

Sipas tij, ky proces nuk mund të jetë kompetencë vetëm e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sidomos në një periudhë kur vendi udhëhiqet nga një qeveri në detyrë, e cila nuk ka mandat të plotë për hartimin e politikave dhe ligjeve të reja.

“Jemi në fushatë zgjedhore, por për disa gjëra duhet të ketë kufi”, ka përfunduar Peci. /Kosova.info/


Go to TOP