Rukiqi: Kosova shpenzon 250 milionë euro për import të energjisë, duhet të shqyrtojë seriozisht LNG-në amerikane
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, me numër 37, ka ngritur shqetësime lidhur me varësinë energjetike të Kosovës dhe kostot e larta të importit të energjisë elektrike.
Sipas tij, Kosova shpenzon rreth 250 milionë euro në vit për import të energjisë, ndërsa ende heziton të diskutojë në mënyrë serioze alternativat strategjike për sigurimin e energjisë afatgjatë, përfshirë gazin natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rukiqi e ka cilësuar pjesëmarrjen në diskutimin e organizuar nga AmCham për LNG-në dhe gazifikimin si të rëndësishëm, duke theksuar mesazhin e përfaqësuesve të Departamentit Amerikan të Energjisë se “siguria energjetike është siguri kombëtare”.
Sipas tij, në kohën e zhvillimit të teknologjive të avancuara, inteligjencës artificiale dhe industrisë moderne, energjia nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje zhvillimi, sigurie dhe sovraniteti.
Ai theksoi se në programin e tij politik, ndërtimi i një centrali me gaz të lëngshëm amerikan mbetet një prioritet i rëndësishëm dhe i pandryshueshëm për të ardhmen energjetike të vendit. /Kosova.info/
