Rahoveci bindës në “Mizahir Isma”, barazon rezultatin në serinë finale

Rahoveci e ka fituar finalen e dytë të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.

Të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, në një ambient të bukur sportiv, Rahoveci e mposhti Kastriotin me rezultat 34:24.

Tani rezultati në serinë finale të plejofit është 1:1. Kështu gara për titull të kampionit mbetet plotësisht e hapur. Për titull të kampionit kërkohen tri fitore. Ndeshja e radhës zhvillohet mesjavën e ardhshme në Ferizaj.

“Vreshtarët” u futën në lojë me vrull dhe të përkushtuar për fitore. Që në pjesën e parë Rahoveci krijoi epërsi deri në tetë gola. Ndërkohë në të dytën mbajti vazhdimisht epërsi të lartë për fitore bindëse në fund.

Te Rahoveci më efikasi ishte Egzon Gjuka me 10 gola. Nëntë i realizoi Guilherme Fernandes.

Arti Luzha e ndihmoi fitoren me pritje të shumta.

Te Kastrioti më efikasi ishte Felippe Teixeira me gjashtë gola. /Kosova.info/

Go to TOP