Kurti me rininë e Pejës: Premton punësim, turizëm dhe investime në infrastrukturë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me të rinjtë në Pejë, ku ka prezantuar prioritetet e qeverisë për këtë qytet dhe rajonin e Dukagjinit.

Ai theksoi se fokusi kryesor do të jetë fuqizimi i rinisë përmes krijimit të mundësive të reja për punësim dhe zhvillim personal duke synuar ndërtimin e një mjedisi ku talenti zhvillohet dhe e ardhmja ndërtohet brenda vendit.

Kurti paralajmëroi gjithashtu investime të rëndësishme në sektorin e turizmit dhe infrastrukturës. Sipas tij, qeveria do të angazhohet për themelimin e Qendrës Rajonale të Turizmit “Dukagjini”, renovimin e plotë të Pallatit të Sporteve “Karagaçi”, si dhe nisjen e ndërtimit të Stadiumit të Qytetit.

Në kuadër të projekteve infrastrukturore, ai përmendi edhe rindërtimin e rrugës Pejë-Kuçishtë-Çakorr, një aks i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.

Këto projekte, sipas Kurtit, synojnë ta bëjnë Pejën një qendër më të zhvilluar për të rinjtë dhe një destinacion më tërheqës për vizitorët. /Kosova.info/


Go to TOP