Hadergjonaj thirrje mërgatës: Vota juaj përcakton të ardhmen e Kosovës
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fadil Hadergjonaj, me numër 22, ka adresuar një mesazh për bashkatdhetarët me rastin e fillimit të procesit të votimit në mërgatë.
Në reagimin e tij, Hadergjonaj ka shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e diasporës ndër vite duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në momentet kyçe të historisë së vendit, nga periudha e luftës çlirimtare deri te proceset e shtetndërtimit.
Ai ka vlerësuar se mërgata ka qenë gjithmonë një shtyllë e fortë e Kosovës duke kontribuar me sakrificë, përkushtim dhe mbështetje të vazhdueshme në çdo etapë të zhvillimit të saj.
Hadergjonaj u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës duke theksuar se përmes saj ata vazhdojnë të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe ndërtimit të së ardhmes së vendit.
Sipas tij, synimi mbetet një Kosovë më e zhvilluar ekonomikisht, me institucione të forta demokratike dhe e integruar në strukturat euro-atlantike si Bashkimi Evropian dhe NATO.
Në fund, ai ka falënderuar diasporën për kontributin e vazhdueshëm duke e cilësuar votën e tyre si besim dhe përgjegjësi për një Kosovë më të fortë dhe më dinjitoze. /Kosova.info/
