Pacolli sulmon Osmanin: Ose presidente, ose le të kallet Kosova
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka ashpërsuar tonet ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani duke e akuzuar për papjekuri politike dhe ambicie personale për pushtet.
Në një intervistë për KosovaPress, Pacolli deklaroi se veprimet e fundit të Osmanit tregojnë një qasje përjashtuese ndaj politikës duke e përshkruar me frazën: “ose unë presidente, ose le të kallet Kosova”. Sipas saj, ky diskurs nuk i shkon një figure që ka pasur mbështetje të gjerë qytetare dhe politike.
Pacolli kritikoi gjithashtu afrimin e Osmanit me Lumir Abdixhiku dhe rikthimin e saj në LDK duke e cilësuar këtë si bashkim për interesa personale dhe jo për të mirën e qytetarëve apo forcimin e partisë.
Ajo u ndal edhe te largimi i disa ish-deputetëve nga lista e Lëvizja Vetëvendosje drejt LDK-së, si Haxhi Avdyli, Jeta Statovci dhe Albena Reshitaj. Sipas Pacollit, ata nuk e kanë vlerësuar drejt mbështetjen që kanë marrë nga votuesit kur ishin pjesë e listës së LVV-së dhe tani do ta shohin peshën reale elektorale jashtë saj.
E bindur në fuqinë e subjektit të saj, Pacolli theksoi se LVV nuk do të dëmtohet nga këto lëvizje dhe se synon të tejkalojë rezultatin prej 51.1% të zgjedhjeve të kaluara.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, ajo përmendi dy skenarë: një fitore e fuqishme e LVV-së që do të siguronte stabilitet institucional dhe zgjedhje të presidentit pa pengesa, ose një fitore e qartë që do ta detyronte opozitën të bashkëpunojë dhe të respektojë vullnetin e qytetarëve. /Kosova.info/
