​Votimi me kusht në 52 vendvotime, pesë më pak se në zgjedhjet e kaluara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në ditën e zgjedhjeve votimi me kusht do të organizohet në 52 vendvotime, të shpërndara në 38 qendra të votimit në mbarë vendin.

Në mbledhjen e KQZ-së, anëtari nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, theksoi se këtë vit numri i vendvotimeve me kusht është për pesë më i ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara, kur ishin gjithsej 57 të tilla.

Sipas tij, reduktimi është bërë pas analizës së sekretariatit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e cila ka vlerësuar se në disa komuna numri i vendvotimeve ka qenë më i lartë sesa nevojat reale të votuesve.

“Në 38 qendra të votimit me kusht janë gjithsej 52 vendvotime… në bazë të analizës është parë që në disa qendra janë hequr disa vendvotime sepse numri i votuesve ka qenë më i vogël”, u shpreh Krasniqi.

Në të njëjtën mbledhje, KQZ miratoi edhe formulën për përbërjen e këshillave të vendvotimeve për zgjedhjet e 7 qershorit. Sipas këtij vendimi, pritet të emërohen gjithsej 14,500 anëtarë, prej të cilëve 1,110 do të jenë rezervë.

Po ashtu, u miratua edhe formula për përbërjen e ekipeve të numërimit në 38 qendra komunale të numërimit, ku do të angazhohen 2,064 anëtarë të 508 ekipeve, të propozuar nga subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje. /Kosova.info/

Go to TOP