BSPK pjesë e takimit përgatitor evropian për dialogun social dhe IA

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mori sot, pjesë në takimin përgatitor online të Tripartite Exchange Seminar 2026 (TES 2026), seminar ky që do të mbahet në Bruksel prej 10 deri më 12 qershor 2026, me temën “Roli i dialogut social në tranzicionin digjital dhe të Inteligjencës Artificiale”.

Në këtë takim përgatitor, ku morën pjesë përfaqësues të sindikatave, organizatave të punëdhënësve, qeverive dhe ekspertë të institucioneve më të rëndësishme evropiane që merren me punën, sigurinë sociale, aftësimin profesional dhe mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve, Kryetari i BSPK-së, Prof. dr. Atdhe Hykolli, po e përcjell zërin sindikal të Kosovës në diskutimet që po zhvillohen për të ardhmen e punës në epokën e Inteligjencës Artificiale.

Takimi i sotëm shërbeu si sesion hyrës dhe koordinues për seminarin qendror të Brukselit, në të cilin partnerët socialë evropianë po përgatisin qasje dhe strategji të përbashkëta për mbrojtjen e mirëqenies ekonomike e sociale të të punësuarve përballë transformimeve të mëdha që po sjell digjitalizimi dhe avancimi i Inteligjencës Artificiale në tregun e punës.

Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje që lidhen me transformimin e vendeve të punës, ndryshimin e organizimit të punës, ndikimin e sistemeve algoritmike në menaxhimin e punëtorëve, nevojën për zhvillim të vazhdueshëm profesional, si dhe domosdoshmërinë për ruajtjen e sigurisë, të shëndetit dhe të dinjitetit të punëtorëve në mjediset e reja digjitale.

Në kuadër të këtij procesi, BSPK po e rithekson qëndrimin e saj se zhvillimi teknologjik duhet të jetë në funksion të njeriut dhe jo njeriu në funksion të teknologjisë. Inteligjenca Artificiale nuk duhet të prodhojë pasiguri sociale, frikë nga humbja e vendit të punës ose dobësim të të drejtave sindikale, po duhet të shfrytëzohet për krijimin e vendeve më të sigurta të punës, për rritjen e cilësisë së jetës së punëtorëve dhe për avancimin e drejtësisë sociale.

Kryetari Hykolli theksoi se dialogu social parimor mbetet mekanizmi më i rëndësisë së veçantë për ta menaxhuar drejt këtë tranzicion historik, duke ruajtur balancën ndërmjet zhvillimit ekonomik, dinjitetit njerëzor dhe mbrojtjes së të drejtave të punës.

Seminari TES 2026 organizohet nga Eurofound, Cedefop, EU-OSHA dhe ETF, në bashkëpunim me Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian, ndërsa pjesëmarrësit do të punojnë në identifikimin e praktikave dhe politikave që mund ta bëjnë tranzicionin digjital më të drejtë, më gjithëpërfshirës dhe më të sigurt për punëtorët në Evropë dhe në vendet kandidate për integrim evropian. /Kosova.info/


Go to TOP