Gërvalla: Funksionimi i sistemit korrektues tregon forcën e shtetit të së drejtës

Ministrja në detyrë e drejtësisë, Donika Gërvalla ka deklaruar se funksionimi i sistemit korrektues është tregues i drejtpërdrejtë i forcës së shtetit të së drejtës në Kosovë.

Gjatë vizitës në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ajo u prit nga drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, ushtruesi i detyrës së drejtorit, Salih Ademi, si dhe drejtues e staf i institucionit.

Sipas Gërvallës, funksionimi i Qendrës Operative, Njësisë për Vlerësim dhe Klasifikim, Njësisë së Transportit dhe Njësisë për Inteligjencë Korrektuese përbën boshtin operacional të sistemit korrektues duke garantuar menaxhim të koordinuar dhe efikas të proceseve brenda institucioneve korrektuese.

Ajo theksoi se forcimi i koordinimit institucional, rritja e kapaciteteve operative dhe konsolidimi i mekanizmave të sigurisë e mbikëqyrjes mbeten prioritete kyçe për avancimin e standardeve dhe funksionalitetit të sistemit korrektues në vend.

“Angazhimi ynë është i pakompromis dhe i pandërprerë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, forcimin e besimit në institucione dhe garantimin e sigurisë publike në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Gërvalla. /Kosova.info/


Go to TOP