Protestojnë rugovasit

Banorët e 13 fshatrave të Rugovës në Pejë, për herë të dytë kanë protestuar kundër vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për ndalimin e ndërtimeve dhe transportit të materialeve ndërtimore në zonën e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

“Kemi dalë në protesta sepse po na bëhet e padrejtë për pronat tona edhe kemi me dalë praseprap. Ky vendim është 100% i papranueshëm për ne rugovasit”, tha Metë Luli, banor i Rugovës.

“Ose do të shpërngulëm prej këtu, ose do ta djegë gjithë pasurinë që kam, ose do të digjem me gjithë pasuri që kam, nuk më ka mbetur diçka tjetër. Kështu që e lus qeverinë le ta shqyrtojë edhe njëherë ligjin, le të na lejojë me jetu”, tha Besnik Lajqi, banor i Rugovës.

“Ne si banorë të Rugovës kemi pritë disa ditë, në fakt sot u bënë 42 ditë ndërsa misnitria nuk e shqyrton vendimin e marrë në bazë joligjore, për ma na liru, mos me na diskriminu dhe për të vazhduar ne jetën tonë sit ë gjithë, në trevën e Rugovës”, tha Agron Nikçi, organizator i protestës.

Organizatorët thanë se  vendimi po i rrezikon ekonomitë familjare të banorëve rugovas prandaj si i tillë është i papranueshëm. Protestuesit i bënë thirrje edhe  prokurorit të shtetit, që siç u shprehen ata, të nis hetimet mbi ligshmërinë e këtij vendimi.

“Një shtëpi pa kulm të riparuar nuk e mbron mjedisin, ajo thjeshtë vdes, aty shuhet një familje. Këtu I bëjmë thirrje të hapur edhe prokurorisë së shtetit, hetoni ligjshmërinë këtyre vendimeve që bllokojnë jetën e një krahine të tërë, hetoni abuzimin mbi pushtetin që po shkelë mbi të drejtën kushtetuese të banorëve mbi pronën e tyre shekullore. Drejtësia nuk mund të heshtet kur shteti e përdorë forcën për t’i izoluar qytetarët e vet pa asnjë alternativë jetese”, tha Flamur Rexhbogaj.

Në anën tjetër zyrtarët e MMPH përmes një përgjigje me shkrim janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim me banorët e kësaj treve. Ne kemi zhvilluar takime të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e banorëve të zonës më 26 mars dhe 28 prill të këtij viti ku janë dëgjuar me kujdes kërkesat shqetësime dhe propozimet e tyre me ç’rast kemi shprehur gatishmërinë e plotë për të ofruar mbështetje profesionale dhe teknike për komunën e Pejës në çdo hap të këtij procesi, me qëllim të krijimit të një qasjeje të koordinuar dhe të qëndrueshme për zhvillimin e zonës, mbrojtjen e interesit publik, natyrës dhe mirëqenien e qytetarëve.

Protestuesit paralajmëruan  se kundërshtimet do të vazhdojnë edhe në forma më të ashpra nëse nuk shfuqizohet vendimi përkatës i MMPH-së.


Go to TOP