Dhjetë kompani nga Kosova në panairin ndërkombëtar në Itali
Dhjetë kompani nga Kosova po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar të industrisë ushqimore “Tuttofood 2026”, i cili po mbahet në Milano të Italisë.
Kosova përfaqësohet në këtë ngjarje nga 10 kompani vendore që po prezantojnë produktet e tyre para blerësve, partnerëve potencialë dhe vizitorëve nga mbarë bota.
Pjesëmarrja e tyre është organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila ka siguruar hapësirë ekspozuese prej 90 metrash katrorë për prezantimin e kompanive kosovare.
Këto kompani po prezantojnë një gamë të gjerë produktesh, përfshirë produkte ushqimore të përpunuara, produkte të thata nga fruta dhe perime, produkte konditorike, lëngje frutash, kërpudha, fruta mali si dhe produkte industriale si letra të lagura dhe gota letre.
Sipas MINTI-t, pjesëmarrja në “Tuttofood 2026” përbën mundësi të rëndësishme për promovimin e kapaciteteve prodhuese të Kosovës, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e lidhjeve të reja tregtare me kompani dhe distributorë nga tregjet e huaja.
Shtandi i Kosovës është i vendosur në pavijonin 6, stenda G31, ndërsa panairi mbetet i hapur për vizitorë deri më 14 maj 2026.
