RrGK alarmon për krizën financiare të strehimoreve: Rrezikohet mbrojtja e viktimave të dhunës

Rrjeti i Grave të Kosovës ka ngritur alarmin për situatën e rëndë financiare me të cilën po përballen strehimoret në Kosovë duke paralajmëruar se mungesa e mbështetjes emergjente mund të cenojë seriozisht përpjekjet institucionale për luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në reagimin e tyre, thuhet se ndërprerja apo kufizimi i funksionimit të strehimoreve do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për gratë dhe viktimat e tjera që kanë nevojë për mbrojtje dhe mbështetje urgjente.

Duke rikujtuar se Qeveria e Kosovës e ka konsideruar vazhdimisht prioritet luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe përmirësimin e shërbimeve sociale, Rrjeti i Grave të Kosovës vlerëson se ndërhyrja institucionale është e domosdoshme për të shmangur një situatë alarmante.

Për këtë arsye, organizata ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse:

sigurimin e një zgjidhjeje emergjente financiare për mbulimin e shpenzimeve të strehimoreve gjatë muajit maj 2026;

krijimin e një mekanizmi të përkohshëm, si fond emergjent, për adresimin e boshllëqeve financiare gjatë periudhave tranzitore;

ndërmarrjen e hapave konkretë për një model të qëndrueshëm dhe afatgjatë të financimit të strehimoreve, përfshirë kontraktimin shumëvjeçar të shërbimeve sociale.

Në reagim theksohet se funksionimi i pandërprerë i strehimoreve nuk është vetëm obligim institucional, por edhe përgjegjësi morale dhe ligjore ndaj qytetarëve më të cenueshëm të vendit.

RrGK rikujton se prej vitesh ka avokuar për krijimin e një linje të veçantë buxhetore për strehimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe trafikimit me qenie njerëzore, e cila është përfshirë në Ligjin për Buxhet që nga viti 2018. Sipas organizatës, tashmë është koha që Qeveria të kalojë drejt një modeli të qëndrueshëm të financimit përmes kontraktimit trevjeçar të shërbimeve sociale të ofruara nga strehimoret. /Kosova.info/

Go to TOP