Përparim Rama prezanton Prishtinën në “Expo AI 2026” në Washington
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të marrë pjesë nesër në ngjarjen ndërkombëtare Expo AI 2026 që mbahet në Washington, ku do të prezantojë Kryeqytetin si një qendër në zhvillim për inovacion dhe teknologji.
Rama theksoi se kjo pjesëmarrje nuk është thjesht protokollare, por përfaqëson një moment të rëndësishëm për Kosovën në skenën ndërkombëtare. Sipas tij, Prishtina do të prezantohet si qytet i rinisë, inovacionit dhe ambicies për të qenë pjesë e zhvillimeve globale në fushën e inteligjencës artificiale.
Ai shtoi se për dekada Kosova është perceptuar përmes sfidave dhe krizave, ndërsa tani synon të tregojë një imazh të ri – atë të një shteti që po ecën drejt së ardhmes dhe po kërkon vendin e vet në epokën digjitale.
Prezantimi në këtë ngjarje globale konsiderohet nga Rama si një akt i afirmimit ndërkombëtar dhe përfaqësimit dinjitoz të vendit duke e vendosur Prishtinën në hartën e qyteteve që kontribuojnë në zhvillimet teknologjike dhe inovative në botë. /Kosova.info/
