MINTI ashpërson kontrollet në tregun e qumështit, 6 raste në procedurë
Ministria e Industrisë, e Ndërmarrësisë, e Tregtisë dhe e Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinarisë (AUV), ka intensifikuar kontrollet në tregun e produkteve të qumështit, me fokus mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e transparencës.
Sipas njoftimit, janë realizuar 7 inspektime në 4 qytete të Kosovës, ku 6 raste janë aktualisht në procedurë, ndërsa 1 është mbyllur.
MINTI u ka rikujtuar operatorëve ekonomikë detyrimin për respektimin e legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe atë për Tregtinë e Brendshme. Theks i veçantë i është dhënë etiketimit të saktë të produkteve, të cilat duhet të kenë deklaracion të qartë në gjuhët zyrtare duke specifikuar nëse janë produkte me bazë shtazore, bimore apo nga qumështi pluhur.
Po ashtu, subjektet që merren me shitje me pakicë obligohen të bëjnë ndarjen e qartë të produkteve në rafte sipas kategorive përkatëse, në mënyrë që konsumatorët të informohen drejt.
Autoritetet kanë paralajmëruar masa ndëshkuese për të gjithë operatorët që nuk respektojnë këto kërkesa, ndërsa kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Qytetarët ftohen të raportojnë çdo parregullsi në treg, përmes numrit të telefonit: +383 (0) 46 311000 (Viber), apo adresës elektronike: [email protected] të vënë në dispozicion nga institucionet përkatëse. /Kosova.info/
