Kredi apo qira? Debati i hoxhë Drilon Gashit: Feja nuk është burg ekonomik për mërgimtarin

Hoxhë Drilon Gashi ka ngritur një debat të gjerë lidhur me një nga dilemat më të mëdha të mërgatës shqiptare në Evropë: a është më fetare të jetosh gjithë jetën me qira apo të marrësh kredi për të siguruar një banesë për familjen?

Në një qëndrim të detajuar, ai thekson se çështja nuk mund të reduktohet në slogane si “haram” apo “hallall”, por kërkon analizë të thellë fetare dhe sociale. Sipas tij, ndonëse fajdeja grabitqare mbetet e ndaluar në Islam, kredia për banesën e parë – në kushte të kontrolluara dhe për nevojë reale – nuk është domosdoshmërisht e njëjtë me rribanë e ndaluar në Kur’an.

Gashi argumenton se shumë familje shqiptare në vende si Gjermania, Zvicra apo Suedia paguajnë për dekada qira të larta, pa krijuar asnjë siguri apo pasuri për të ardhmen. Në këtë kontekst, ai thekson se blerja e një banese mund të sjellë stabilitet familjar dhe trashëgimi për fëmijët.

Ai i referohet edhe diskutimeve brenda medhhebit hanefi, ku sipas tij ekziston hapësirë për lehtësim në rrethana të caktuara, sidomos në vende jomuslimane dhe kur përfitimi kryesor mbetet te familja myslimane.

Megjithatë, ai vendos disa kushte të qarta: kredia duhet të jetë për banesën e parë, të ketë nevojë reale, të jetë e përballueshme dhe të mos përdoret për luks apo garë sociale.

Në fund, Gashi bën thirrje që feja të mos përdoret si “zinxhir ekonomik”, por si udhërrëfyes për një jetë të dinjitetshme, duke theksuar se Islami është fe e mëshirës, drejtësisë dhe urtësisë. /Kosova.info/


Go to TOP