Bajrami: Pa media të lira nuk ka demokraci, gazetarët janë mbrojtja ndaj pushtetit
Hykmete Bajrami ka uruar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit duke shprehur mirënjohje për gazetarët që punojnë në kushte të vështira, shpesh nën presion, kërcënime dhe sulme, vetëm pse zgjedhin ta thonë të vërtetën.
Ajo ka theksuar se falë punës së mediave shumë skandale janë bërë publike, ndërsa transparenca është rritur dhe shumë keqpërdorime janë bërë subjekt i organeve të drejtësisë.
Sipas saj, pa liri të mediave nuk mund të ketë demokraci duke vlerësuar se një shoqëri pa media të lira mbetet pa sy, pa veshë dhe pa mbrojtje ndaj pushtetit.
Hykmete Bajrami u bëri thirrje gazetarëve që të mos ndalen asnjëherë në misionin e tyre, pavarësisht kush e udhëheq vendin duke shtuar se politikanët votohen për të udhëhequr e jo për të sunduar. /Kosova.info/
