MBPZHR-ja njofton programin e pagesave për fermerët

Ministri në detyrë i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka nënshkruar orientimet indikative të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2026, të strukturuara sipas sektorëve strategjikë të bujqësisë dhe zinxhirëve kryesorë të prodhimit agro-ushqimor, në përputhje me metodologjinë sektoriale të Bashkimit Evropian.

Sipas ministrit Muja, programi kombinon pagesën bazë, pagesat e lidhura me prodhimin e kulturave prioritare, masat për stabilizimin e tregut, pagesën rishpërndarëse për hektarin e parë dhe eko-skema, me qëllim rritjen e prodhimit vendor, forcimin e sigurisë ushqimore, zhvillimin rural të qëndrueshëm dhe rritjen e eksporteve agro-ushqimore.

SIGURIA USHQIMORE DHE KULTURAT STRATEGJIKE

Në kuadër të drithërave, gruri mbështetet me 304 €/ha përmes pagesës bazë, masave për stabilizimin e tregut dhe inputeve bujqësore, ndërsa fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë. Sipas programit, përmes prodhimit dhe rendimentit, mbështetja mund të arrijë deri në rreth 433 €/ha. E njëjta skemë aplikohet edhe për misrin, elbin, tërshërën dhe thekrën, të cilat mbështeten me 304 deri në 329 €/ha, varësisht nga kultura.

Misri, sipas ministrisë, trajtohet si kulturë strategjike për sigurinë ushqimore dhe sektorin blegtoral.

KULTURAT PROTEINIKE, VAJORE DHE INDUSTRIALE

Luledielli mbështetet deri në 454 €/ha, ndërsa fasulja dhe patatja arrijnë deri në 754 €/ha, duke u konsideruar kultura me rëndësi të veçantë për zëvendësimin e importeve dhe sigurinë ushqimore.

PERIMET, PEMËTARIA DHE VRESHTARIA

Perimet në fushë të hapur mbështeten me 704 €/ha, ndërsa perimet në serra arrijnë në 1,054 €/ha, duke u cilësuar si sektor prioritar për rritjen e prodhimit vendor.

Pemëtaria mbështetet deri në 654 €/ha, ndërsa mjedra përfiton 0.20 €/kg dhe 150 €/ha për sipërfaqe. Vreshtat mbështeten me 1,104 €/ha, si dhe me pagesa shtesë për verën dhe fidanët.

BLEGTORIA

Në sektorin blegtoral, lopët qumështore mbështeten me 90 €/kokë, viçat me 30 €/kokë, mëshqerrat me 60 €/kokë, buallicat me 180 €/kokë, ndërsa delet dhe dhitë me 30 €/kokë.

Pulat mbështeten me 0.50 €/kokë, brojlerët me 0.20 €/kokë dhe dosat për riprodhim me 25 €/kokë.

CILËSIA DHE DIVERSIFIKIMI

Qumështi do të subvencionohet sipas cilësisë: 0.07 €/l për klasën extra, 0.04 €/l për klasën I dhe 0.02 €/l për klasën II.

Bletaria mbështetet me 25 €/koshere, ndërsa bletaria organike me 30 €/koshere. Akuakultura përfiton 0.25 €/kg për prodhimin e peshkut.

Sipas ministrisë, këto orientime indikative shërbejnë si bazë për hartimin dhe finalizimin e Programit Vjetor për Pagesa Direkte 2026 dhe mund të rishikohen gjatë procesit të konsultimeve dhe finalizimit të skemës. /Kosova.info/


Go to TOP