Posta dhe KRU “Prishtina” marrëveshje për pagesa pa provizion
Posta e Kosovës dhe KRU “Prishtina” kanë nënshkruar marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit, duke lehtësuar shërbimet për qytetarët.
Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, priti në takim kryeshefin ekzekutiv të KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, me bashkëpunëtorët e tyre, ku u formalizua marrëveshja e re ndërmjet dy institucioneve.
Sipas kësaj marrëveshjeje, konsumatorët e KRU “Prishtina” do të kenë mundësi që faturat e ujit t’i paguajnë në të gjitha zyrat e Postës së Kosovës, pa provizion shtesë. Po ashtu, është bërë e ditur se pagesat do të regjistrohen automatikisht në sistem, duke mundësuar shlyerje të menjëhershme të obligimeve.
Nga Posta e Kosovës u theksua se zgjerimi i rrjetit të zyrave postare në gjithë vendin po rrit qasjen e qytetarëve në shërbime esenciale.
Të dyja palët e vlerësuan lart këtë bashkëpunim, duke theksuar se marrëveshja hap rrugë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe zhvillimin e shërbimeve të reja në interes të qytetarëve. /Kosova.info/
