Rama: Kosova nuk i përket një lideri, po rrezikohen themelet demokratike

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj situatës së fundit politike në Kuvendin e Kosovës duke thënë se zhvillimet aktuale janë thellësisht shqetësuese dhe pasqyrojnë një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit.

Rama deklaroi se Kosova nuk i përket një lëvizjeje, një lideri apo një narrative të vetme, por qytetarëve të saj, derisa theksoi se ajo që po ndodh nuk është qeverisje e shëndetshme, por një model alarmues kontrolli, përjashtimi dhe kapjeje të institucioneve.

Sipas tij, shteti është ndërtuar mbi pluralizëm, transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa asnjë parti e vetme nuk ka të drejtë t’i trajtojë institucionet si zgjatje të makinerisë së saj politike.

Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje gjithnjë e më shumë e ka zbehur vijën ndarëse mes partisë dhe shtetit duke centralizuar vendimet, anashkaluar zërat kundërshtues dhe dobësuar proceset demokratike.

Rama tha se si kryetar i Prishtinës e sheh nga afër se si kjo qasje ndikon tek qytetarët duke nënvizuar se qeverisja duhet t’i fuqizojë komunat dhe jo të shtrëngojë kontrollin politik nga qendra.

Në fund, ai bëri thirrje për balancë, dialog dhe lidership që bashkon duke shtuar se e ardhmja e Kosovës varet nga mbrojtja e normave demokratike dhe jo nga zbehja e tyre. /Kosova.info/

Go to TOP