Haziri: VV shkeli Kushtetutën me dy këmbë, procesi duhet të shpallet i dështuar
Nënkryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmjes në Kuvend duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje se ka shkelur Kushtetutën dhe ka cenuar rendin kushtetues të vendit.
Haziri tha se, “me lehtësi të padurueshme”, Vetëvendosje e shkeli për herë të radhës Kushtetutën duke e cilësuar situatën si tentim për rrënimin e rendit kushtetues.
Sipas tij, Republika duhet të ketë gardianë institucionalë, ndërsa deputetët nuk mjaftojnë të jenë të vetmit mbrojtës të rendit kushtetues.
“Ajo që ndodhi sonte është e gabuar, politikisht e papërgjegjshme dhe juridikisht e paqëndrueshme. Nuk mund të ndërtohen institucionet mbi shkeljen e Kushtetutës”, deklaroi Haziri.
Në fund, ai kërkoi që pas përfundimit të votimit, i gjithë procesi të shpallet i dështuar. /Kosova.info/
