KEK: Stabilizohet sistemi i elektrofiltrave në “Kosova A”
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) bën të ditur se, ndërprerja e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave në Termocentralin “Kosova A”, e shkaktuar nga ndërprerja në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm, është tejkaluar me sukses.
Sipas njoftimit, falë angazhimit intensiv dhe profesional të stafit teknik, janë realizuar të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, duke mundësuar sanimin e plotë të situatës dhe stabilizimin e funksionimit të elektrofiltrave.
“Gjatë gjithë kohës janë zbatuar masa operative dhe parandaluese për mbrojtjen e aseteve dhe për menaxhimin e situatës në përputhje me standardet teknike dhe mjedisore në fuqi. KEK Sh.A. shpreh mirënjohje për përkushtimin dhe reagimin e shpejtë të stafit të Termocentralit “Kosova A” dhe mbetet e përkushtuar për operim të sigurt, transparent dhe të qëndrueshëm”, shkruan KEK.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, bëri të ditur se se ka pranuar informacione dhe një video-incizim, mbi bazën e të cilave ekzistojnë dyshime për ndotje të ajrit përmes tymit që po shkaktohet nga oxhaku në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në Komunën e Obiliqit.
Sipas njoftimit, në lidhje me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të verifikimit dhe sigurimit të provave relevante.
