Bajrami: LVV i ka votat, s’ka pengesë për ndihmën ndaj qytetarëve
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratave të pushtetit duke i cilësuar ato si propagandë dhe duke hedhur poshtë pretendimet se opozita po bllokon ndihmën për qytetarët.
Ajo theksoi se miratimi i buxhetit dhe rishikimi i tij bëhen me shumicë të thjeshtë duke sqaruar se mjafton që në seancë të jenë të pranishëm 61 deputetë dhe shumica e tyre të votojë pro. Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje i ka aktualisht 66 deputetë, çka e bën të panevojshëm çdo arsyetim për bllokadë nga opozita.
Bajrami shtoi se asnjë parti opozitare nuk mund ta pengojë kryeministrin Albin Kurti për të ndërmarrë masa në ndihmë të qytetarëve. Ajo rikujtoi se, sipas saj, edhe gjatë gjashtë viteve të fundit Kurti nuk ka pasur pengesa të tilla.
“Pengesa e vetme e Kurtit është vetë apetiti i tij për të sunduar,” u shpreh Bajrami duke kritikuar qasjen e qeverisë ndaj çështjeve ekonomike dhe sociale. /Kosova.info/
