Ymeri: VV tentoi ta shfrytëzojë pakon 200 milionëshe për fushatë, jo për qytetarët
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar ndaj pretendimeve të Lëvizjes Vetëvendosje se opozita po bllokon pakon prej 200 milionë eurosh për përballimin e inflacionit.
Sipas saj, kjo pako nuk ishte reale për mbështetje sociale, por një instrument me qëllime elektorale. Ymeri thekson se projektligji nuk kaloi për shkak se u paraqit me vonesë dhe pa ndjekur procedurat e rregullta parlamentare.
Ajo shtoi se, edhe nëse do të hidhej në votim, Vetëvendosje nuk i kishte votat e mjaftueshme, pasi mungonin disa deputetë të shumicës. “Nuk i kishin as 66 vota, por këtë nuk ua tregojnë qytetarëve”, deklaroi Ymeri.
Deputetja kritikoi gjithashtu narrativën e pushtetit duke e quajtur atë një përpjekje të vazhdueshme për të fajësuar opozitën. “Qytetarët duhet të pyesin: pse kjo pako nuk u soll më herët, por vetëm tri ditë para afatit zgjedhor?”, u shpreh ajo.
Në fund, Ymeri akuzoi qeverinë për, siç tha, “përfitim nga varfëria” dhe përhapje të vazhdueshme të narrativave fajësuese ndaj të tjerëve. /Kosova.info/
