Forcimi i prodhimit vendor, çelësi për zbutjen e varësisë nga importet
Varësia e Kosovës nga importi vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore ekonomike, duke rritur ndjeshmërinë ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, institucionet po bëjnë përpjekje për ndërmarrjen e masave konkrete me qëllim forcimin e kapaciteteve prodhuese dhe zvogëlimin e varësisë nga importi.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, vlera e importeve në vend arrin në miliona euro. Kjo gjendje pasqyron ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e prodhimit vendor, duke shënuar edhe destabilizim të tregut. Ulja e importit duke rritur kapacitetet prodhuese mbetet synim institucional.
Ndaj dikasteri i Tregtisë dhe Industrisë po ndërmerr masa konkrete, që zhvillimin ekonomik e shohin përmes forcimit të kapaciteteve prodhuese vendore. Krahas kësaj bëhet përpjekje edhe për promovimin i vendit si një destinacion i përshtatshëm edhe për prodhuesit evropianë.
Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, vë në pah se kjo çështje lidhet edhe me sigurinë kombëtare, veçanërisht në kohë destabilizimi dhe luhatjesh të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
“E para është infrastruktura industriale përmes zonave ekonomike. Tashmë kemi aktivizuar të gjitha projektet që kanë qenë në kuadër të zonave industriale anembanë Kosovës.E dyta është mbështetja e drejtpërdrejtë përmes skemave të ndryshme financiare, si grantet dhe subvencionet, si dhe mekanizmat e garancive kreditore”, tha Kusari-Lila.
Një element tjetër i promovimit është edhe ngritja e standardit të cilësisë së produkteve vendore për tregjet rajonale dhe evropiane. Rëndësia e ndërmarrjes së masave nga shteti, sipas njohësve të fushës, mbetet jetike, pasi nxit prodhimin vendor, përmes mbështetjes.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave, vënë në pah se Kosova edhe më tej është e varur nga importi. Të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin mars, pasqyrojnë një thellim të deficitit tregtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
