Homazhe dhe lamtumirë e fundit për Selim Krasniqi në Prizren

I është dhënë lamtumira e fundit ish-eprorit të UÇK-së, Selim Krasniqi, i cili vdiq të mërkurën. Para ceremonisë së varrimit të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Selim Krasniqi, janë bërë homazhe pranë trupit të pa jetë të tij si dhe është mbajtur një akademi komemorative.

Familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe qytetarë kanë bërë homazhe para trupit të pa jetë të ish-eprorit të UÇK-së, Selim Krasniqi, në hollin e Shtëpisë së Kulturës në Prizren.

Gjithashtu është organizuar edhe akademi komemorative nga dega e OVL të UÇK-së në Prizren, të cilën e udhëhoqi për disa vjet nga i ndjeri.

Xhemshit Krasniqi foli në emër të bashkëluëftëtarëve dhe bashkëveprimtarëve. Ai tha se Selim Krasniqi, një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare. “Ishte shembulli më i mirë i qëndresës, përkushtimit dhe besnikërisë në shërbim të atdheut”, theksoi ai.

Kurse, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se Selim Krasniqi, do të kujtohet si figurë e paharrueshme e historisë sonë të lavdishme.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, theksoi se do të kujtohen përgjithmonë veprat dhe kontributi i komandant “Bacës”, për luftën çlirimtare dhe në mbrojtje të vlerave të tyre.

Në emër të familjes Krasniqi, pjesëmarrësit në këtë ceremoni mortore i ka falenderuar, nipi i tij, 

Pas akademisë, kortezhi funeral është drejtuar për në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, ku është organizuar edhe ceremonia e varrimit të ish-eprorit të UÇK-së, Selim Krasniqi, i cili ndërroi jetë pas një sëmundje të shkurtër në moshën 76 vjeçare.


Go to TOP