Instituti Albanologjik mban mbledhje komemorative për akademikun Rexhep Qosja
Ikona e mendimit dhe shkrimit shqip, akademiku i shquar Rexhep Qosja, është ndarë nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme shkencore dhe kulturore për botën shqiptare.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij, Instituti Albanologjik – Prishtinë ka njoftuar se më 24.04.2026, në orën 12:00, do të mbahet mbledhje komemorative.
Në njoftim theksohet se Qosja ishte një nga punonjësit më të shquar të institutit, një mendimtar dhe studiues i rrallë, si dhe mësues e bashkëpunëtor i çmuar për breza të tërë studiuesish.
“Rexhep Qosja ishte një punonjës i papërsëritshëm i Institutit Albanologjik dhe ne jemi krenarë që e patëm mes nesh. Ai ishte mësuesi, bashkëpunëtori dhe miku ynë i çmuar,” thuhet në njoftim.
Instituti thekson se do të mbeten të paharruara këshillat dhe udhëzimet e tij akademike, ndërsa vepra e tij do të vazhdojë të jetë referencë e rëndësishme në studimet albanologjike.
“Pusho në paqe, i dashur profesor. Bëftë dritë shpirti yt,” përfundon njoftimi komemorativ. /Kosova.info/
